image Grushti i Ministrit Shala që nënshtron sistemin e rendit dhe drejtësisë

Kosovë

Pabarazi para ligjit/ Grushti i Ministrit Shala që nënshtron sistemin e rendit dhe drejtësisë

news image

Policia e Kosovës ende nuk ka arrestuar ministrin në detyrë, Endrit Shala i cili dyshohet se sulmoi mbrëmë fizikisht gazetarin gjatë ushtrimit të profesionit të tij. Organet e rendit dhe të drejtësisë me këtë mosveprim ndaj përsonave të pushtetshëm në Kosovë, po aplikojnë standarde të dyfishta duke krijuar pabarazi para ligjit.

12 qytetarë janë dërguar në mbajtje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë për vepra të ndryshme penale.

Policia e Kosovës për çdo ditë arreston dhe me urdhër të Prokurorisë dërgon në mbajtje, qytetarë të dyshuar për kanosje, sulme fizike, dhunë në familje e vepra tjera të natyrave të ndryshme.

Por, njëjtë nuk ka vepruar me ministrin në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili dyshohet se mbrëmë sulmoi me grusht në fytyrë gazetarin, Ensar Ramadani, gjatë raportimit të tij, duke i shkaktuar lëndim trupor.

Siç u raportua mbrëmë, sulmi dyshohet se ndodhi pasi, Shala ia kishte kërkuar telefonin gazetarit me të cilin po e xhironte rastin e plagosjes së kshilltarit të Fatmir Limajt në Vetërnik. Pas refuzimit të kësaj kërkese nga gazetari, Shala raportohet se e ka sulmuar fizikisht atë duke e goditur boks në zonën e fytyrës.

Përkundër këtij akti, Endrit Shala është lënë i lirë nga Policia dhe nuk është shqiptuar asnjë masë nga Prokuroria. Madje policia deri më tash nuk ka bërë të ditur as për intervistimin e tij.

“Sot rreth orës 20:00 është raportuar për një rast që ka ndodhur në QKUK. Pala ankuese ka raportuar rastin në stacion policor dhe njësitet kompetente po merren me rastin”, ka deklaruar shkurt për mediet mbrëmë vonë zëdhënësi, Baki Kelani.

Pas incidentit, ministri Shala i kishte quajtur rrena raportimet e mediave për sulmin ndaj gazetarit.

“Kush e ka sulmuar gazetarin?”, ka pyetur Shala. “Po ti shkruaje lajmin, çka po më thirrë mua me më pyet. Nuk ia vlen me më thirrë mua për këto far rrenash”, ka raportiuar mbrëmë Insajderi.

Sulmi i pretenduar ndaj gazetarit, Ensar Ramadani përveç si cenim ndaj integritetit personal të një individi, konsiderohet atak mbi lirinë e medieve dhe të drejtës së publikut për të qenë i informuar pasi është penguar gjatë raportimit të tij për incidentin në Veternik.  

Sulmin e ka dënuar  mbrëmë,  Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke kërkuar nga policia, prokuroria dhe  gjithë sistemin e drejtësisë t`i trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve. AGK në të njëjtën kohë inkurajon kolegët gazetarë që të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi punën e tyre dhe të mos ndalen para asnjë sulmi e kërcënimi./Gazeta Sinjali/