Policia e Kosovës ka prangosur sot një person në Prishtinë, i cili dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij në shtëpinë e tyre në rrugën “Dalip Alshiqi”, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se arrestimi i të dyshuarit u bë pas denoncimit të rastit nga viktima sot rreth orës 11:00, e cila raportoi në Polici se bashkëshorti i saj vazhdimisht ka ushtruar dhunë ndaj saj.
Ajo ka deklaruar se edhe sot i njëjti i cili ishte nën ndikim të alkoolit kishte tentuar ta sulmojë fizikisht, duke i shkaktuar edhe shqetësime psiqike, prandaj edhe u detyrua ta thërrasë Policinë.
Njësia policore ka arrestuar të dyshuarin, i cili ka qenë nën ndikim të alkoolit. I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.