image Greqia zgjedh për herë të parë një grua për presidente

Rajon

Rajoni/ Greqia zgjedh për herë të parë një grua për presidente

news image

Kuvendi i Greqisë e zgjodhi për herë të parë, një grua për presidente të vendit. Presidentja e re, Ekaterini Sakellaropoulou, më parë ka shërbyer si gjykatëse dhe është e specializuar për ligjet mjedisore dhe kushtetuese.

Më parë, Sakellaropoulou ishte kryetare e Këshillit Shtetëror. Presidentja e re e shtetit do të betohet më 13 mars.

Ish-gjykatësja, e cila mori 261 vota të deputetevë, do ta zërë vendin e Prokopis Pavlopoulos-it, të cilit i përfundon mandati presidencial në mars.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili personalisht e ka nominuar presidenten për këtë pozitë, e cilësoi atë gjykatëse të jashtëzakonshme, kandidatura e së cilës do t’i bashkojë të gjithë grekët.

Presidentja e re është vajza e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe i ka përfunduar studimet post-diplomike në Universitetin e Sorbonës në Paris.

Ndonëse posti i presidentit ka më shumë i llojit ceremonial, mbajtësi i kësaj pozite është komandant supreme i forcave të armatosura dhe mund t’i shpallë luftë vendeve të tjera, shkruan “France 24”.

Kujtojmë se, deputetja e parë femër në Greqi, Eleni Skoura, u zgjodh në vitin 1953. Lina Tsaldari më 1956 u bë ministrja e parë greke, dhe Anna Psarouda Benaki e para femër kryetare e parlamentit grek në vitin 2004. /Gazeta Sinjali/