image Gjykata vendos për 23-vjeçarin që theri me thikë një 51-vjeçar në Prizren

Drejtësi

Gjykata vendos për 23-vjeçarin që theri me thikë një 51-vjeçar në Prizren

news image

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për Raif Kiçen 23-vjeçar, i cili dyshohet se theri me thikë 51-vjeçarin, Nuredin Shinik, raporton Gazeta Sinjali.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, sipas gjykatës rrjedh dyshimi i bazuar:

Se më datë 11 nëntor, në orët e mesnatës në Prizren, në një lokal, për shkak të një ngatërrese rreth shërbimit në lokalin në fjalë, pasi i dëmtuari refuzon të shërbej të pandehurin R.K.,  me pije – birrë, i njëjti e nxjerrë thikën, me dashje ndërmerr veprim me qëllim të vrasjes, me thikë e ther në bark të dëmtuarin dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e së cilës viktima dërgohet në emergjencën e spitalit të Prizrenit dhe  e më pas dërgohet në QKUK- në Prishtinë në tretman urgjent mjekësor”.

Kurse a do të argumentohen këto fakte, sipas gjykatës do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se i pandehuri pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes dhe se prezenca e tij është siguruar në mënyrë të dhunshme nga ana e zyrtarëve të policisë.

Pra sipas gjykatës, me qëndrimin e tij në liri, ai mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të dënimit të lartë për të cilën vepër parashihet, si dhe në rrjedhën e mëtejmë do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret duke marrë parasysh edhe peshën e veprës penale , caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm me qëllim të mbarëvajtjes së rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurit të lartcekur u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Gjykata ka njoftuar se masa e paraburgimit do të llogaritet prej kohës së arrestimit 12.11.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 12.12.2021, ndaj të pandehurit R.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/