Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Besim Hajdari për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi”, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Besim Hajdari e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, në bazë të nenit 187 par.1 nën paragrafi. 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së.
“Gjykata ka konstatuar se masat tjera janë të pa mjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, pasi që ekziston rreziku i ikjes së tij duke marr parasysh se ai përveç që ka ikur nga vendi i ngjarjes në datën kur ka ndodhur rasti, i njëjti nuk i është përgjigjur asnjëherë ftesave të policisë dhe vazhdimisht përkundër përpjekjeve të policisë, ai ka qëndruar në arrati, deri kur është arrestuar nga ana e policisë më datë 16.04.2021, andaj po të lihej në liri ekziston rreziku se do të ikte dhe do të pengonte zhvillimin e procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se i pandehuri Besim Hajdari dyshohet se me datë 06.10.2020, rreth orës 18:35 në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, derisa ka qenë duke e drejtuar veturën e tij, e kishte penguar në shiritin qarkullues të dëmtuarin F.S., me ç ‘rast i pandehuri Besim Hajdari kishte dalë nga vetura me armë në dorë, duke iu afruar veturës së të dëmtuarit F.S. dhe e kishte kërcënuar.
“Ndërsa i dëmtuari H.G. duke kaluar atypari kishte ndërhyrë për ta larguar të pandehurin në këtë rast dhe në atë moment i pandehuri F.S. ia kishte drejtuar armën të dëmtuarit dhe kishte gjuajtur tre herë në të dëmtuarin, më ç ‘rast i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore”, njofton gjykata.
Kundër këtij aktvendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit.