image Gjykata refuzon kërkesën e Belerit për t’i mundësuar betimin si kryebashkiak

Shqipëri

Gjykata refuzon kërkesën e Belerit për t’i mundësuar betimin si kryebashkiak

news image

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme refuzoi sot kërkesën e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, për t’u pajisur me leje të posaçme për të bërë betimin pranë Këshillit Bashkiak. Beleri, u arrestua dy ditë përpara votimeve të 14 majit nën dyshimet për shitblerje vote, dhe që atëherë ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet janë mbyllur dhe ka nisur procesi ndaj tij nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Beleri arriti të shpallej fitues, por nuk ka mundur të bëjë betimin, akt i cili do ta zyrtarizonte atë si drejtues të bashkisë.

Në nisje të seancës së sotme, anëtarë të shoqatës “Omonia”, e cila përfaqëson interesat e pakicës greke në Shqipëri, organizuan pasdite një manifestim përpara dyerve të gjykatës, duke protestuar për mbajtjen e zotit Beleri në qeli. “Himara më 14 maj zgjodhi kryetarin e Bashkisë. Çdo vendim ndryshe nga ai që do populli, është i papranueshëm. Koha që tallja të marrë fund”, shkruhej në postimin e Omonias, që njoftonte protestën.

Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur për të bërë betimn, ka kaluar në një kalvar gjyqësor. Pas refuzimit të kërkesës nga Drejtoria e burgjeve, gjykata e Durrësit e përcolli për interpretim rastin në Gjykatën e lartë, e cila u shpreh se kompetenca për t’u vendosur i takonte Gjykatës së Posaçme.

Në seancën e sotme zoti Beleri deklaroi se “gjykatat kanë bërë ping pong”, me rastin e tij, duke folur për një “proces tërësisht politik” dhe duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë në zvarritjen e çështjes. “Janë kërcënimet publike të kryeministrit qe e kanë sjellë situatën deri në këtë pikë”, është shprehur ai.

Akuza ndaj kryeministrit lëshoi në fund të seancës edhe zoti Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, e cila e kishte zotin Beleri, kandidat të saj në zgjedhjet në Himarë, të mbështetur nga grupimi i ish kryeministrit Sali berisha dhe Partia e Lirisë e ish presidentit Ilir Meta. “Teksti, muzika, orkestrimi dhe interpretimi, janë të gjitha të realizuara nga një autor, kryeministri i vendit. Belerit prej 7 muajsh i privohet e drejta e të zgjedhurit, ndërsa komunitetit të Himarës, i privohet e drejta që të zgjedhë”, deklaroi zoi Dule. Sipas tij rasti Beleri “po krijon një precedent tejet të rrezikshëm që cënon Shtetin e së Drejtës, demokracinë funksionale dhe prezumimin e pafajësisë”.

Seanca e sotme u ndoq dhe nga ambasadorja greke në Shqipëri. Kjo çështje ka çuar në një përplasje të fortë mes dy vendeve. Greqia, reagoi menjëherë pas arrestimit të zotit Beleri, duke kërcënuar se ky rast do të kishte pasoja në rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Athina foli fillimisht për shkelje të të drejtave të pakicave, dhe më pas për shkelje të të drejtave politike. Me gjasë, Greqia do të vejë veton, për të bllokuar hapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Komisionit europian për grup-kapitujt e parë.

Pak ditë më parë kryeministrit Edi Rama tha se qëndrimi i tij për të mos ndërhyrë në një çështje që i takon vetëm drejtësisë, nuk ndryshon, pavarësisht rrezikut të bllokimit nga ana e Greqisë të avancimit të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit, duke u shprehur se rasti Beleri, “nuk ka asnjë lidhje me kushtet e procesit të bisedimeve”. /VOA

/GazetaSinjali/