Pasditen e 29 janarit, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në dy lokacione në Prizren, ku janë kapur mbi 10 kilogramë drogë. Kjo bastisje ka rezultuar me arrestimin e Sevki Kayserlit, shkruan Gazeta Sinjali.
Pas kërkesës që Prokuroria ia ka bërë Gjykatës Themelore në Prizren, ndaj Kayserlit është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Skender Çoçaj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 29.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 28.02.2022, ndaj të pandehurit S.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par. 1 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/