image Gjykata merr vendim për personin që dyshohet se vrau 40-vjeçarin në Klinë

Drejtësi

Gjykata merr vendim për personin që dyshohet se vrau 40-vjeçarin në Klinë

news image

Ngjarja e rëndë që ka ndodhur të premten në Klinë, ku nga të shtënat me armë zjarri në Pataqan, mbeti i vrarë 40-vjeçari, Mark Ademi, Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e tij, Anton Ndrecaj si i dyshuari kryesor, Ndue Ndrecaj, i cili më pas u lirua, dhe një person tjetër.

Ndërkohë sot, Prokuroria Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të dyshuarit Anton Ndrecaj.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, e cila deklaroi se ka përfunduar seanca dëgjimore dhe ndaj të dyshuarit është vendosur një muaj paraburgim.

Përmes burimeve, Sinjali mëson se Ademi e Ndrecaj janë kushërinj mes vete dhe se gjithçka ndodhi pas një fjalosje që kishin vëllezërit e të dy palëve për motive ende të panjohura.

Ndryshe, një patrullë policore kishte marrë informacionin të premten rreth orës 16:40 se po ndodhë një rrahje në atë pjesë dhe ishte nisur për në vendin e ngjarjes. Gjatë kësaj periudhe situata ishte tensionuar në vendin ku veçse kishte ndodhur krimi.

Sinjali mëson se Policia ishte rrugës për të intervenuar, ka hasur në njërin nga të dyshuarit, Ndue Ndrecaj, i cili e ka ndalur Policinë dhe iu ka thënë se është sulmuar nga vëllezërit Ademi.

Kërkimet për t’i kapur personat e përfshirë në rast kishin nisur menjëherë, kurse i dyshuari që e njoftoi Policinë për sulmin dha deklaratë në stacion.

Derisa i njëjti është intervistuar, fillimisht në cilësinë e viktimës të rrahjes, Policisë në ato momente i shkoi informacioni tjetër. Tashmë bëhej fjalë për plagosje me armë zjarri të viktimës Mark Ademi.

Me të marrë informacionin, viktima fillimisht u dërgua në QKMF-në e Klinës, por më pas, nën përcjelljen e policisë, u transportua në  Spitalin rajonal të Pejës, ku u konstatua se fatkeqësisht i njëjti kishte ndërruar jetë.

40-vjeçari vdiq, ndërkohë që të gjitha njësitet policore dolën në vendin ku ndodhi krimi, për të marrë masat e nevojshme, me ç’rast u prangosën tre të dyshuar. Anton NdrecajNdue Ndrecaj dhe një familjar i tyre përfunduan në prangat e Policisë për vrasjen e Mark Ademit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/