image Rrahja që çoi në vrasjen e Mark Ademit nga kushëriri i tij: Sinjali sjellë detaje ekskluzive nga ngjarja tragjike në Klinë

Ekskluzive

Rrahja që çoi në vrasjen e Mark Ademit nga kushëriri i tij: Sinjali sjellë detaje ekskluzive nga ngjarja tragjike në Klinë

news image

Klina u trondit pasditen e së premtes pas vrasjes me armë zjarri të 40-vjeçarit Mark Ademi, në fshatin Pataqan. Rrahja mes kushërinjve çoi në ngjarjen tragjike, për të cilën po dyshohen tre persona. Anton Ndrecaj, 54-vjeçar është i dyshuari kryesor, i cili gjuajti me armë zjarri në drejtim të Mark Ademit duke e lënë të vdekur në vend. Ai dhe dy familjarë të tij u prangosën nga Policia, derisa u kryen bastisje në vendin e krimit dhe u konfiskuan snajperë e armë.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja, kur u njoftua Policia dhe si u qëllua Ademi nga kushëriri i tij? –  Gazeta Sinjali ju sjellë detaje ekskluzive.

Tragjedisë që u ndodhi dy familjeve, kushërinj mes vete, në fshatin Pataqan u parapriu një rrahje, afër një kafeterie, rreth orës 16:40 të ditës së sotme.

Gjithçka nisi me një fjalosje, për motive ende të panjohura, mes vëllezërve të Mark Ademit me vëllezërit e të dyshuarit Anton Ndrecaj që fillimisht çoi në rrahje. Por, konflikti mes tyre eskaloi deri në atë pikë, sa i dyshuari kryesor Anton Ndrecaj nxori armën e zjarrit dhe gjuajti në drejtim të Markut.

Kur u njoftua Policia për rastin

Një patrullë policore kishte marrë informacionin rreth orës 16:40 se po ndodhë një rrahje në atë pjesë dhe ishte nisur për në vendin e ngjarjes. Gjatë kësaj periudhe situata ishte tensionuar në vendin ku veçse kishte ndodhur krimi. Sinjali mëson se Policia ishte rrugës për të intervenuar, ka hasur në njërin nga të dyshuarit, Ndue Ndrecaj, i cili e ka ndalur Policinë dhe iu ka thënë se është sulmuar nga vëllezërit Ademi. Kërkimet për t’i kapur personat e përfshirë në rast kishin nisur menjëherë, kurse i dyshuari që e njoftoi Policinë për sulmin dha deklaratë në stacion.

Derisa i njëjti është intervistuar, fillimisht në cilësinë e viktimës të rrahjes, Policisë në ato momente i shkoi informacioni tjetër. Tashmë bëhej fjalë për plagosje me armë zjarri të viktimës Mark Ademi.

Me të marrë informacionin, viktima fillimisht u dërgua në QKMF-në e Klinës, por më pas, nën përcjelljen e policisë, u transportua në  Spitalin rajonal të Pejës, ku u konstatua se fatkeqësisht i njëjti kishte ndërruar jetë.

40-vjeçari vdiq, ndërkohë që të gjitha njësitet policore dolën në vendin ku ndodhi krimi, për të marrë masat e nevojshme, me ç’rast u prangosën tre të dyshuar. Anton Ndrecaj, Ndue Ndrecaj dhe një familjar i tyre përfunduan në prangat e Policisë për vrasjen e Mark Ademit.

Pas arrestimit të tre të dyshuarve, nisën bastisjet në disa lokacione, që rezultuan me konfiskimin e dy snajperëve, një arme të gjuetisë dhe një revoleje.

Ndaj Anton Ndrecajt, prokurorja ka lëshuar urdhër për caktimin e masës së ndalimit prej 48 orësh, si i dyshuar kryesor për vrasjen e Mark Ademit.

Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja të kësaj ngjarje tragjike.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/