image Gjykata merr vendim për Murat Jasharin, të dyshuarin për tentim vrasjen e Azem Vllasit - Sinjali

Gjykata merr vendim për Murat Jasharin, të dyshuarin për tentim vrasjen e Azem Vllasit

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me Propozimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për Shqiptimin e Masës së Trajtimit të Detyrueshëm Psikiatrik me Ndalim në Institucionin e Kujdesit Shëndetësor kundër të akuzuarit Murat Jashari, për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton Gazeta Sinjali.

“Të akuzuarit M.J., Gjykata i ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë dhe ka obliguar institucionin përkatës të kujdesit shëndetësor i cili do ta bëjë ekzekutimin e kësaj mase të trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të QKUK-së në Prishtinë, që ta njoftojë gjykatën me raport me shkrim mbi implementimin e masës dhe gjendjen shëndetësore të të akuzuarit, këtë raportim institucioni përkatës i kujdesit shëndetësor duhet ta bëjë së paku një herë në 6 (gjashtë) muaj”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik e shqiptuar me këtë aktvendim, sipas gjykatës, do të jetë në fuqi gjerë në pushimin e rrethanave për të cilat është shqiptuar kjo masë e trajtimit, bazuar në raportet dhe ekzaminimet e Institutit të Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë.

Ndërkaq, me aktvendim të veçantë Jasharit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktvendimi, paraburgimi mbahet në Institutin e Forenzikës Psikiatrike të QKUK-së në Prishtinë.

Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale, më 13 mars 2017, në ora 7:50 në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, Jashari duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore dhe duke mos i kontrolluar veprimet e veta për shkak të çrregullimit skizoafektiv-maniakal me karakter të përhershëm me psikopatologjik të shkallës nga mesatarja në të rëndë, ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin Azem Vllasi.

Sipas propozimit, Jashari duke e konsideruar Vllasin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 1981 dhe çështjeve kombëtare, fillimisht ka shkuar në zyrën e tij ku është interesuar për të dëmtuarin ta angazhojë si avokat në një çështje civile, ndërsa i dëmtuari i ka thënë se nuk merret me çështje civile dhe i ka thënë “prit pak ta jap një numër të një avokati tjetër”.

Në këtë moment, i pandehuri sipas propozimit, e ka nxjerrë pistoletën e tij dhe ia ka drejtuar në ballë të dëmtuarit dhe gjatë kacafytjes mes tyre, Jashari e ka qëlluar në pjesën e majtë të kraharorit Vllasin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Pasi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, Policia e Kosovës e kishte arrestuar Jasharin rreth orës 12:00, në motelin “Fontana” në Prishtinë, me ç’rast tek i njëjti ishte gjetur edhe një revole e tipit “Crvena Zastava”.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në korrik të këtij viti.

Në këtë rast për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale, akuzoheshin Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, mirëpo të njëjtit tashmë nuk do të gjykohen për këto vepra penale, pasi që pas aktvendimit të Apelit, Prokuroria Speciale ka përpiluar aktakuzë të re.

Sipas aktakuzës së re të akuzuar janë vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha.

Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me Murat Jasharin kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe Jasharin të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes.

Ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin