Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-postierit të Postës së Kosovës, M.B, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar nga kjo gjykatë.
M.B, dyshohet se në periudhën 2019-2021 keqpërdori pozitën zyrtare, duke mos dorëzuar 2 mijë e 26 dërgesa postare.
Arrestimi i tij u bë të martën gjatë bastisjes që kreu policia në shtëpinë e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan dëshmi (dërgesa postare) të pa dorëzuara nga ai, i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre te palët e adresuara, gjatë kohës sa ka qenë punëtorë i Postës së Kosovës.
Policia njoftoi se dëshmitë dhe provat të cilat u gjetën dhe u sekuestruan gjatë bastisjes janë:
- 682 Shkresa të Gjykatës,
- 512 Fatura të tatimit mbi pronë,
- 337 Fatura të Valës,
- 57 Dërgesa Ndërkombëtare,
- 200 Shkresa të Trustit,
- 197 Fatura të Bankave,
- 7 Shkresa të Ministrisë së Bujqësisë,
- 18 Dërgesa nga Komuna e Lipjanit,
- 1 Dërgesë nga AKP,
- 14 Dërgesa nga Përmbaruesit privat,
- 1 Dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në total, policia gjeti 2026 dërgesa të ndryshme, të cilat i dyshuari, ndonëse e kishte obligim, nuk i kishte dorëzuar te palët e adresuara.
“Me këto veprime personi i dyshuar (M.B,) dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar’ sipas nenit 414 të kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Pas arrestimit, M.B., me vendim të prokurorit, ishte ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/