Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar avokati i Krasniqit, Ramë Gashi.
“Po, sot i është caktu masa e paraburgimit, para pak kohësh”, tha Gashi.
Ndërkaq, Fatlum Podvorica, avokati i asistentes së Krasniqit, Marigona Berishës, bëri të ditur për Gazetën Sinjali se kjo gjykatë ia ka caktuar klientes së tij masën e arrestit shtëpiak.
Krasniqi po dyshohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim i ndikimit”, “dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Ndërkohë, Berisha po dyshohet për “moslajmërim të përgatitjes së veprës penale”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/