Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për dy personat që dyshohet se tentuan të godasin me veturë e më pas gjuajtën me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë në lagjen ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë.
Lidhur me rastin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se sot në ora 13:30 pritet të mbahet seanca dëgjimore ndaj të dyshuarve.
Ndryshe, dy persona janë arrestuar pasi që të njëjtit dyshohet se kanë tentuar t’i godasin me veturë zyrtarët policorë, e më pas njëri nga ta ka shtënë me armë drejt policëve.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës edhe përmes raportit 24 orësh, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 21:30 në Prishtinë dhe policët në rroba civile janë përgjigjur me të shtëna në drejtim të të dyshuarve, raporton Gazeta Sinjali.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar, pasi që të njëjtit me veturë kanë tentuar të godasin zyrtarët policor (në rroba civile) dhe më pas njëri nga të dyshuarit me pistoletë ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policor. Zyrtarët policor i janë përgjigjur me të shtëna në drejtim të dyshuarit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Policia njofton se zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore në vend të ngjarjes kanë konfiskuar një pistoletë me gjashtë fishekë.