Pak minuta pas publikimit të artikullit të Gazetës Sinjali se Ilir Demaj dhe Albion Gashi u arrestuan sot në Pejë, pasi dyshohen se u prezantuan rrejshëm si policë, redaksia ka pranuar disa telefonata dhe mesazhe nga familjarë të të dyshuarit Gashi.
Një person me inicialet M.G., ka telefonuar në numrin kontaktues të Gazetës Sinjali, duke kërkuar që lajmi që është publikuar të largohet.
Por siç ka ndodhur gjithmonë, Gazeta Sinjali e ka njoftuar se nuk largohet asnjë lajm që publikohet. Më tej ai ka kërcënuar gazetaren e Sinjalit duke i thënë se “Edhe na jemi në Kosovë, gjendesh, veç në hanë nëse shkon”.
Në numrin e Sinjalit ka telefonuar edhe një person tjetër, me kërkesën për ta larguar artikullin. Përveç tij, në faqen e Gazetës Sinjali në Facebook, po ashtu kanë ardhur mesazhe si “ma mir e keni mi largu ato foto”.
Këtë rast të kanosjes, gazetarja e Sinjalit e ka denoncuar në Policinë e Kosovës.
Albion Gashi dhe Ilir Demaj fillimisht e kishin ndaluar një veturë në rrugën magjistrale Istog – Pejë, në fshatin Vitomiricë.
Pasi vetura u ndalua, njëri prej tyre ishte prezantuar si person zyrtar (Polic) dhe i kishte kërkuar viktimës dokumente, duke e pyetur gjithashtu se a ka diçka të dyshuar.
Sipas policisë, pasi viktima u drejtohet të dyshuarve se po i njeh, njëri nga ta menjëherë ia kthen dokumentet e liron dhe largohet.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.