image Gjeloshaj: Në Tuz mbretëron një situatë e qetë, të gjithë të arrestuarit janë liruar

Rajon

Gjeloshaj: Në Tuz mbretëron një situatë e qetë, të gjithë të arrestuarit janë liruar

news image

Kryetari i Komunës së Tuzit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, ka bërë të ditur se situata në këtë qytet është e qetë, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjeloshaj njoftoi se të gjithë personat që ishin arrestuar gjatë ditës së djeshme, sot janë liruar.

“Është dëshmuar në çdo kohë se me popullin tonë, mund të arrihen marrëveshje në forma njerëzore. Si dëshmia më e mirë e zgjidhjes së problemeve përmes dialogut është situata e sotshme në Tuz. Gjatë gjithë kohës, ne kemi bërë thirrje për dialog, nga e cili do të dilnin të kënaqura të dyja palët”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Ky reagim i tij vie pasi që gjatë të enjtes policia malazeze kishte shkuar në Komunën e Tuzit për t’i mbyllur disa biznese të gastronomisë të cilat ishin të hapura, pavarësisht masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, për luftimin e koronavirusit.

Kësaj mase i ishte kundërvënë kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dhe disa qytetarë, të cilët kishin bllokuar sheshin në drejtim të Podgoricës, duke thënë se nuk do të lëvizin derisa nuk shkojnë aty kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryministri, Dritan Abazoviq.

Po ashtu, Gjeloshaj njoftoi të gjithë qytetarët dhe objektet e gastronomisë se Komuna e Tuzit do të bëjë pagesën e gjobave eventuale.

“Dua të informoj publikisht qytetarët dhe pronarët e objekteve të gastronomisë,  se Komuna e Tuzit, do të bëjë pagesën e gjobave eventuale. Gjithashtu, të gjitha subjektet gastronomike do të kenë ndihmë financiare. Ne gjithmonë do të mbështesim bizneset tanë, jo vetëm gastronominë, por ato në përgjithësi, në mënyrë që Komunës sonë t’i japim drejtimin dhe përkrahjen më të mirë drejt zhvillimit ekonomik”, shkroi ndër të tjera Gjeloshaj./Gazeta Sinjali/