image Gjashtë raste të dhunës të raportuara në Polici gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Siguri

Gjashtë raste të dhunës të raportuara në Polici gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

news image

Policia e Kosovës në 24 orët e fundit ka bërë të ditur që janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.

Rastet e dhunës në familje kanë ndodhur tri në Prizren, dy në Malishevë dhe një në Drenas.

Kjo e fundit raportohet se pas një mosmarrëveshje mes një çifti, ata janë rrahur mes veti. Sipas policisë, të dy kanë pësuar lëndime trupore dhe më pas kanë pranuar tretman mjekësor.

Ndërsa tri raste të tjera kanë ndodhur në qytetin e Prizrenit, ku në rastin e parë një person ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga babai i tij, i cili dyshohet se ishte nën ndikim të alkoolit. Lidhur me rastin, me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Derisa rasti i dytë, sipas policisë një person ka përfunduar në prangat e policisë, pasi që i njëjti dyshohet se ka shkaktuar dhunë ndaj babait të tij. Ndërkohë, lidhur me këtë rast i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në rastin e tretë në këtë qytet dyshohet se një grua ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së saj dy vjeçar si dhe ndaj bashkëshortit, ku me këtë rast prokurori ka urdhëruar se e dyshuara të arrestohet dhe e njëjta të dërgohet në mbajtje.

Dy raste të tjera të dhunës në familje kanë ndodhur në Malishevë, ku rasti i parë ka përfunduar me arrestimin e një personi, pasi që i njëjti dyshohet se për shkaqe xhelozie e ka kanosur verbalisht një grua me të cilën jetonte. Në lidhje me këtë rast me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në rastin e fundit Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një burrë ka rrahur nipin e tij të mitur dhe më pas i njëjti nga plagët e marra është dërguar për tretman mjekësor.

/GazetaSinjali/