Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur gjashtë raste të dhunës në familje, shkruan Gazeta Sinjali.
Rastet e dhunës në familje kanë ndodhur dy në Fushë-Kosovë, një në Lipjan, dy në Prizren dhe një në Gjakovë.
Rasti i parë ka ndodhur dje në Fushë-Kosovë, ku një grua ka raportuar në Polici se ish-burri i saj është duke i dërguar mesazhe kërcënuese. Ndërkohë, rasti i dytë në këtë qytet ka ndodhur dje rreth orës 14:30, ku një grua është ankuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është duke u hetuar nga njësitë relevante.
Rasti i tretë në rajonin e Prishtinës, ka ndodhur në qytetin e Lipjanit, me ç’rast Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Lidhur me këtë rast viktima ka pranuar edhe tretman mjekësor.
Ndërkohë, rasti i katërt ka ndodhur dje në Prizren, ku një person ka raportuar në Polici se bashkëshortja e tij ka ushtruar dhunë psikike ndaj tij.
Në rrugën “Beran Gashi”, në të njëjtin qytet është arrestuar një person, pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij derisa edhe e ka larguar nga shtëpia. Ndërkohë, me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti i fundit ka ndodhur në Gjakovë, ku një person është arrestuar, pasi që i njëjti dyshohet se ka keqtrajtuar fizikisht vëllain e tij. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje./GazetaSinjali/