image Gjakderdhje në tru, ndrydhje në mushkëri e thyerje të kockave të fytyrës/ Gjendja e 3-vjeçarit që u lëndua në Prishtinë

Siguri

Gjakderdhje në tru, ndrydhje në mushkëri e thyerje të kockave të fytyrës/ Gjendja e 3-vjeçarit që u lëndua në Prishtinë

news image

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë se një 3-vjeçar është lënduar rëndë nga rrethojat e një ndërtese në Prishtinë, shumë pranë Fakultetit Teknik.

3-vjeçari ishte dërguar për tretman mjekësor në Klinikën Emergjente dhe pas ekzaminimeve u transferua në Mjekim Intensiv.

Drejtori i kësaj klinike, Shaqir Uka, tha për Gazetën Sinjali se gjendja shëndetësore e fëmijës është ende e rëndë.

Uka tha se 3-vjeçari po vazhdon të qëndrojë i fjetur me barna dhe lidhur me aparatin e frymëmarrjes.

“Fëmija është sjellë në Mjekimin Intensiv nga Qendra Emergjente, për shkak të lëndimeve që i ka pësu, pas ekzaminimeve që janë kry në Qendrën Emergjente dhe konsultimeve që u dasht me i bë, pacienti, gjegjësisht fëmija, është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në Njësinë e Mjekimit Intensiv. Vazhdon të qëndrojë i fjetur me barna dhe i lidhur me aparat të frymëmarrjes. Vazhdon të merr krejt terapinë, sipas protokollit të trajtimit”, tha ai.

Shefi i Mjekimit Intensiv tha se 3-vjeçari ka lëndim serioz në kokë, thyerje të kockave të fytyrës, gjakderdhje në tru, si dhe ndrydhje në zonën e mushkërive.

“Është një lëndim serioz në regjionin e kokës, me shumë thyerje të kockave të fytyrës dhe një gjakderdhje në regjionin e trurit. Ka ndrydhje në regjionin e mushkërive. Ne vazhdojmë me e përcjell gjendjen e përgjithshme të tij në dinamikë. Vazhdon ta merr krejt terapinë çka duhet dhe duhet të presim. Mund të them që dëmtimet kryesore janë në regjionin e kokës dhe ndrydhje në regjionin e mushkërive”, përfundoi Uka.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, mbrëmë i ka thënë Gazetës Sinjali se rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”./Gazeta Sinjali/