image Gazetari rrëfen sesi u grushtua nga ministri Endrit Shala: Kam qenë duke e fotografuar

Kosovë

Sulmi/ Gazetari rrëfen sesi u grushtua nga ministri Endrit Shala: Kam qenë duke e fotografuar

news image

Gazetari Ensar Ramadani dje u nis për në QKUK për të marrë informacion mbi gjendjen shëndetësore të Luan Malokut, këshilltar i kryetarit të Nismës Soacialdemokrate, Fatmir Limajt, i cili kishte mbetur i plagosur pas të shtënave me armë në lagjen “Veternik” të Prishtinës.

Ndonëse shkoi për të plagosurin, vetë gazetarit i është dashur të marr tretman mjekësor në QKUK, pasi u godit me grusht nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Ensar Ramadani tregon për Gazetën Sinjali sesi rrodhi ngjarja deri te sulmi që iu bë nga Shala në praninë e dy policëve të cilët as nuk e arrestuan, e as nuk e shoqëruan në stacionin policor ministrin.

“Mbrëmë kam qenë në redaksi dhe jemi njoftuar se ka ndodhur një plagosje. Redaksia më ka dërguar në QKUK te Emergjenca për të marrë pamje dhe informacion lidhur me të plagosurin. Në momentin që kam qenë duke qëndruar aty, ka ardhur ministri në detyrë, unë kam qenë duke e fotografuar. Ai ma ka kërkuar telefonin për të mi fshirë fotot dhe unë kam refuzuar. Në atë moment më ka goditur në prezencë të dy zyrtarëve policorë”, tregon gazetari.

Pas sulmit, Ensar Ramadani thotë se është larguar nga aty nga përcjellësi i Shalës, ndërkaq një polic e ka larguar ministrin.

“Njëri nga policët e ka larguar ministrin, derisa mua më është afruar sigurimi apo shoferi i tij dhe më ka larguar nga aty. Unë kam shkuar në polici, e kam raportuar rastin dhe kam dhënë deklaratën”, ka thënë gazetari i IndeksOnline.

Përderisa Ensar Ramadani e ka dhënë deklaratën e tij në stacionin policor, në raportin 24-orësh Policia konfirmon se Endrit Shala nuk është shoqëruar për në stacion, e as nuk është intervistuar fare për këtë rast.

Gazeta Sinjali raportoi sesi Policia e Kosovës për çdo ditë arreston dhe me urdhër të Prokurorisë dërgon në mbajtje qytetarë të dyshuar për kanosje, sulme fizike, dhunë në familje e vepra tjera të natyrave të ndryshme, por që ndryshe është vepruar me rastin e sulmit nga ministri Endrit Shala.

Vetëm dje, 12 qytetarë janë dërguar në mbajtje për vepra të ndryshme penale. /Gazeta Sinjali/