Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se kanë pranuar ofertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkollim në Akademinë Detare, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministri Mehaj u shpreh se kjo është një mundësi e shkëlqyer për shkollim në programin akademik të Marinsave të ShBA-së dhe në programin e Sigurisë Kibernetike.
“Ju njoftojmë se, nga miqtë tanë amerikan, pas ofertave të mëhershme për shkollim në Akademitë Ushtarake West Point dhe Akademinë e Forcave Ajrore, sot kemi pranuar edhe ofertën për shkollim në Akademinë Detare të SHBA-së. Ne nuk kemi forca detare, por kjo është një mundësi e shkëlqyer për shkollim në programin akademik të Marinsave të SHBA-së dhe në programin e Sigurisë Kibernetike”, theksoi Mehaj.
Mehaj theksoi se Ministria e Mbrojtjes, do të shpall konkurs për rekrutimin e kandidatëve të rinj për shkollim dhe në këto tri akademi tejet prestigjioze, prej 11.10.2021 deri më 25.10.2021.
“Për procedurat e aplikimit dhe përzgjedhjes për shkollim në këto akademi, procedurat e testimit dhe kriteret, si dhe dokumentet e kërkuara për aplikim, do të ju njoftojmë në shpallje të konkursit. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me partnerët amerikan, të gjithë të interesuarve, ju garanton proces fer dhe transparent, në zbatueshmëri të plotë të procedurave dhe kritereve ku do të zgjidhen Më të mirët prej më të mirëve”, shkruan Mehaj./GazetaSinjali/