image Fjolla Morina del para gjykatës të mërkurën, prokuroria kërkon ekstradimin e saj në Shqipëri

Drejtësi

Fjolla Morina del para gjykatës të mërkurën, prokuroria kërkon ekstradimin e saj në Shqipëri

news image

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka arrestuar këngëtaren e njohur, Fjolla Morinën, në lokalin e saj në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Me vendim të prokurorit, asaj i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Fjolla do të dalë para gjykatës të mërkurën. Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar avokati i saj, Fanol Krasniqi.

“Po, Fjollës i është caktu masa e ndalimit prej 48 orësh. Pritet të mërkurën me dalë para gjyqtarit. Të shohim se çfarë po vepron gjyqtari. Gjyqtari ka të drejtë me vendos vetëm për sigurinë e saj tani për tani, për masën e sigurisë, a me e dërgu në paraburgim apo në arrest shtëpiak. Ndërkohë, janë procedurat e ekstradimit prej 40 ditësh, që shteti kërkues, a i plotëson të gjitha kriteret që një shtetas i Kosovës në shtetin e Shqipërisë“, tha ai.

Krasniqi bëri të ditur që prokuroria ka kërkuar ekstradimin e këngëtares në Shqipëri, por që pala mbrojtëse ende nuk ka pranuar asnjë shkresë, për të parë se ku është mbështetur kjo kërkesë e prokurorisë.

Një gjë të tillë, Krasniqi thotë se do të kuptohet të mërkurën, kur Fjolla të dalë para gjykatës.

Ne nuk kemi kurrëfarë shkrese prej prokurorisë se mbi cilin vendim ka kërku ekstradim për Fjolla Morinën. A ka kërku esktradim, mbi aktgjykimin e formës së prerë, edhe pse nuk është aktvendim i formës së prerë se Fjolla Morina këtë aktgjykimin e shkallës së parë, të Gjykatës së Kukësit e ka ataku, dmth është lënda e Fjolla Morinës në Gjykatën e Shkodrës dhe ai vendim nuk është i formës së prerë. Mirëpo, mbi çfarë vendimi kërkon esktradim mbetët të shihet kur të shkojmë në seancë kur të shkojmë të mërkurën. Nuk kemi kurrëfarë informacione”, tha Krasniqi për Sinjalin.

Fjolla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.

Kjo vjen si pasojë e një arrestimit të saj vitin e kaluar në pikën kufitare Kosovë – Shqipëri, ku ajo u zu me dy revole në veturën e saj, shoqëruar nga dy bashkudhëtarë meshkuj.

Morina ishte mbajtur në arrest shtëpiak në Kukës për një muaj, ndërkohë vetëm në prill të këtij viti Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka depozituar vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/