Filmi boshnjak “Quo Vadis, Aida?” ka fituar çmimin e filmit të Parlamentit Evropian, pasi ka shmangur konkurrencën e dy kandidatëve të tjerë.
Çmimi LUX European Audience Film Award 2022 iu dorëzua regjisores 47-vjeçare boshnjake Jasmina Zbanic, e cila vazhdon të marrë çmime për atë që kritikët e kanë quajtur një rrëfim të ashpër të numrit shkatërrues njerëzor të luftës.
Filmi dramatizon ngjarjet e masakrës së Srebrenicës, gjatë së cilës trupat serbe dërguan për vdekje burra dhe djem boshnjakë në korrik 1995. Emërtuar sipas protagonistit të tij, “Quo Vadis, Aida?” tregon ngjarjet përmes syve të një nëne të quajtur Aida, një mësuese shkolle që punon me Kombet e Bashkuara si përkthyese.
Fituesja e çmimit, e cila shoqërohej nga një e mbijetuar e Srebrenicës në Parlamentin Evropian në Strasburg, tha për Euronews se sheh paralele me luftën e sotme në Ukrainë.
“Për mua, është vërtet e trishtueshme që ne si evropianë nuk mësuam asgjë nga Luftërat Ballkanike. Ne nuk mësuam se si të flasim para se të ndodhë lufta. Tani është çmenduria e luftës”, tha Zbaniç të mërkurën.
“Por kishte shenja se lufta ishte përgatitur, dhe ne nuk i shikuam këto shenja dhe nuk gjetëm një mënyrë për të mos pasur luftë në Evropë. Për mua, kjo është me të vërtetë, shumë e trishtueshme. Më vjen shumë keq që njerëzit po vdesin kur ne po flasim për të”.
Filmi gjithashtu është vlerësuar botërisht nga kritikët dhe ka marrë çmime të shumta, si dhe është nominuar për Luanin e Artë në Festivalin e Filmit të Venecias në vitin 2020 dhe Oscar Awards një vit më vonë, shkruan euronews.
Dy të nominuarit e tjerë ishin “Flee” nga regjisori danez Jonas Poher Rasmussen dhe “Great Freedom” nga regjisori austriak Sebastian Meise.