Një 33-vjeçar nga fshati Shtupel i Klinës ka përfunduar dy herë në Polici brenda dy ditësh, pasi dyshohet se ka kërcënuar fqinjin e tij. Sinjali mëson se pasi prokurori e liroi gjatë ditësh së djeshme, i njëjti sot ka kërcënuar sërish viktimën.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se viktima u kërcënua nga i dyshuari për shkak të një problemi mes fëmijëve të tyre.
Pas denoncimit të rastit gjatë ditës së djeshme, prokurori kujdestar e ka liruar të dyshuarin F.K., por siç duket ai nuk u mbush mend.
Sipas burimeve të Sinjalit, ai u denoncua edhe sot në Polici, pasi dyshohet se e ka kërcënuar përsëri fqinjin.
Me t’u raportuar rasti i dytë, Policia është vënë menjëherë në lëvizje dhe kanë arrestuar të dyshuarin.
Këtë herë, prokurori kujdestar ka vendosur që të lëshojë urdhër për ndalimin e tij, në kohëzgjatje prej 48 orësh, si i dyshuar për veprën penale “kanosje”.