Ata që duhet të jenë shembull për respektim të masave kundër koronavirusit në Kosovë, po i shkelin vetë ato, duke u argëtuar edhe gjatë orës policore. Por në anën tjetër, Policia e Kosovës që do të duhej t’i trajtonte të gjithë njëjtë, sonte ka zbatuar standarde të dyfishta, mëson Gazeta Sinjali.
Zyrtarët policorë sonte rreth orës 23:00, kanë gjetur liderin e Nismas, Fatmir Limajn, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqin, si dhe kryeshefin e inspektorëve në këtë ministri bashkë me 15 persona të tjerë, duke u argëtuar në njërën nga sallat në Hotel “Emerald”.
Sinjali mëson se hoteli është dënuar me 2000 euro gjobë, mirëpo Policia që ka pasur detyrim të shqiptojë gjoba edhe ndaj personave fizikë, ka dështuar ta zbatojë ligjin.
Një sinjalizues i Sinjalit, thotë se kryeinspektori i MTI-së ka qenë më i zhurmshmi gjatë kohës kur zyrtarët policorë i gjetën ata në këtë hotel. Ai ndonëse paguhet për ta zbatuar dhe monitoruar ligjin, e që vetë edhe gjatë kohës së pandemisë ka gjobitur disa lokale, sonte nuk ka dashur të ia dijë për ligjin, duke kaluar kohën me shefat e tij.
Sinjali merr vesh se ndonëse duhet të trajtohen si çdo qytetar tjetër, Limaj me shokë nuk është gjobitur edhe pse ka shkelur ligjin.