Gazeta Sinjali dje publikoi hulumtimin për ordinancën “Facial.am” dhe për Mirlinda Berishën, e cila dyshohet se për disa vite me radhë ka kryer ndërhyrje invazive me botox e fillera, pa poseduar një diplomë të Fakultetin të Mjekësisë.
Se Mirlinda nuk ka pasur diplomë për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Nga ky fakultet kanë thënë se Mirlinda ka diplomuar vetëm disa muaj më parë, ndonëse këtë punë ajo dyshohet se e kryen që nga viti 2018, kur ka qenë ende vetëm studente e Mjekësisë.
“Bazuar në pyetjen tuaj mund të konfirmojmë që studentja e Fakultetit të Mjekësisë – UP, Mirlinda Berisha, ka mbrojtur temën e diplomës suksesshëm pranë fakultetit tonë më datë 28.01.2021, me ç’rast ka marrë titullin e Doktorit të Mjekësisë”, thuhet në përgjigjen e këtij fakulteti.
Ani pse nuk kishte një diplomë fakulteti deri para disa muajve, ajo qysh nga viti 2018 dyshohet se kryen procedura invazive dhe implante të botoxit dhe fillerave, duke konsumuar kështu edhe veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, e sanksionuar me gjobë dhe me burgim.
Për ta ushtruar këtë punë, Mirlinda nuk posedon ende licencë pune. Kështu thuhet në përgjigjen e Odës së Mjekëve të Kosovës për Gazetën Sinjali.
“Ju njoftojmë se nuk kemi mjekë të anëtarësuar dhe licencuar pranë Odës së Mjekëve të Kosovës me këtë emër, pra Mirlinda Berisha”, thuhet në përgjigjen e OMK-së.
Bazuar në Ligjin për Shëndetësi, shërbimet shëndetësore mund të ofrohen nga profesionistët shëndetësorë (të diplomuar) në mënyrë të pavarur, vetëm pas marrjes së licencës.
Mirëpo, Mirlinda vazhdon të ofrojë shërbime të tilla në ordinancën “Facial.am” pa licencë, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Pa poseduar akoma diplomën dhe tani ende pa licencë pune, Mirlinda është prezantuar si doktor i Mjekësisë që nga viti 2018.
Ndonëse i ka larguar fotografitë e publikuara në Instagram, që e dëshmonin një gjë të tillë, në media ende janë intervistat e saj në të cilat ajo sa ishte studente ishte paraqitur si “Doktoresha Mirlinda Berisha”.
Madje, në një storie të Televizionit 7, që mban datën 29 tetor 2018, ajo para kamerës kishte kryer një ndërhyrje në hundën e një pacienti.
Çfarë deklaron “doktoresha” pa licencë për këto dyshime?
Gazeta Sinjali e ka vizituar edhe klinikën Facial.am dhe ka biseduar me Mirlinda Berishën lidhur me këto pretendime të ish-pacienteve të saj, para se hulumtimi të botohet.
Berisha ka thënë se është person shumë i përgjegjshëm dhe se këto pretendime mund të jenë të shpikura nga konkurrentët e saj, pasi që tha se ka jashtëzakonisht shumë punë.
Ajo tha për Sinjalin se ka diplomë të Fakultetit të Mjekësisë, si dhe licencë pune dhe se të dyja këto dokumente do i dërgojë në e-mail të gazetares pas disa orësh.
Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur që disa ditë, ndonëse “doktoresha” e premtoi vetë.
Për t’ia dhënë sërish mundësinë që ta japë versionin e saj, Sinjali ka dërguar pyetje në numrin kontaktues të klinikës, duke ia përsëritur të gjitha ankesat dhe pretendimet e pacienteve, por edhe pas disa ditësh nuk ka pranuar përgjigje e as fakte që dëshmojnë të kundërtën e tyre, ashtu siç Berisha premtoi se do t’i përcjellë.
Berisha reagoi vetëm pas publikimit të artikullit, në faqen e “ordinancës” së saj në Instagram.
Ajo e ka quajtur lajm të rremë artikullin e Sinjalit, duke thënë se në këtë “ordinancë” ajo kryen punën e “estetistes së trajnuar” dhe se profesioni i saj është “Doktor i Mjekësisë së Përgjithshme”.
Mirëpo, profili “estetiste”, të cilët thotë se i takon Mirlinda, nuk gjendet në neni 69 të Ligjit për Shëndetësi, ku janë të paraqitura të gjitha profilet e profesionistëve shëndetësorë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e saj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/