Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale të fajdes, i cili po dyshohet se dha borxh 37 mijë euro, mori një veturë në këmbim të parave dhe kërkonte banesë, që në total vlera kalonte shumën e të hollave që kishte dhënë. I dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit, pas identifikimit dhe arrestimit nga Policia.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Dëfrim Kuqi, 36-vjeçar, raporton Sinjali.
Ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim policor dhe së shpejti pritet të merren veprimet e tjera hetimore.
Por cilat janë detajet e rastit?
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se palët e përfshira në rast, i dyshuari dhe viktima fillimisht kishin arritur një marrëveshje për huazimin e 37 mijë eurove. Por viktima borxhin nuk e ktheu me të holla, pasi i dyshuari në këmbim të parave dyshohet se ia kishe marrë një automjet, që kap vlerën e 21 mijë eurove.
Pas “zëvendësimit” të rreth 60 për qind të borxhit, viktima duhej t’ia kthente të dyshuarit edhe 16 mijë euro.
Por gjithçka mori kahje tjetër pasi viktima u përballë me kërcënimet e të dyshuarit, i cili e kishte paralajmëruar se familja e tij do ta pësojë keq.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, i dyshuari i ka kërkuar viktimës një banesë në vlerë prej 45 mijë eurove, në këmbim të borxhit, shumë kjo që e tejkalon vlerën e parave që ia kishte dhënë.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar të dyshuarin në Polici, me ç’rast i njëjti është arrestuar dhe intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.