image Kapet fajdexhia në Gjakovë, dha 37 mijë euro për t’i marrë veturë dhe banesë viktimës në vlerë të 66 mijë €

Siguri

Kapet fajdexhia në Gjakovë, dha 37 mijë euro për t’i marrë veturë dhe banesë viktimës në vlerë të 66 mijë €

news image

Dukuria e fajdesë, që nënkupton huazimin e parave të cilat më pas duhet të kthehen me interes shumë të lartë, përveç se përbën vepër penale, është një dukuri mjaft shqetësuese dhe e rrezikshme. Për të tilla raste, para disa ditësh pati edhe aksion në Gjakovë, që bazuar edhe në raportimet e mëhershme del se kjo dukuri është në rritje, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi po ashtu Gjakovë, një person tashmë është arrestuar, teksa janë zbuluar detajet që lidhen me shuma të majme parash.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se palët e përfshira në rast, i dyshuari dhe viktima fillimisht kishin arritur një marrëveshje për huazimin e 37 mijë eurove. Por viktima borxhin nuk e ktheu me të holla, pasi i dyshuari në këmbim të parave dyshohet se ia kishe marrë një automjet, që kap vlerën e 21 mijë eurove.

Pas “zëvendësimit” të rreth 60 për qind të borxhit, viktima duhej t’ia kthente të dyshuarit edhe 16 mijë euro.

Por gjithçka mori kahje tjetër pasi viktima u përballë me kërcënimet e të dyshuarit, i cili e kishte paralajmëruar se familja e tij do ta pësojë keq.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, i dyshuari i ka kërkuar viktimës një banesë në vlerë prej 45 mijë eurove, në këmbim të borxhit, shumë kjo që e tejkalon vlerën e parave që ia kishte dhënë.

Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar të dyshuarin në Polici, me ç’rast i njëjti është arrestuar dhe intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

/GazetaSinjali/