image Eskalon situata te Partizani, sherr ndërmjet dy futbollistëve që dolën pozitivë me koronavirus

Futboll

Eskalon situata te Partizani, sherr ndërmjet dy futbollistëve që dolën pozitivë me koronavirus

news image

Ka shkuar në pesë numri i lojtarëve të infektuar me COVID-19 te klubi shqiptar, Partizani para derbit të kryeqytetit. Deian Boldor dhe Besnik Ferati ishin të parët që dolën të prekur me koronavirus dhe më pas e gjithë skuadra iu nënshtrua testimeve. Zbulimi i tre rasteve të fundit pas përgjigjeve të marra në mesnatën e  djeshme e ka rritur jashtë mase frikën, por edhe tensionin në kampin e kuq.

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë vendngjarjes së mbrëmë ka pasur një “larje hesapesh” brenda radhëve të Partizanit. Deian Boldor dhe motra e tij dyshohet se janë vatra infektuese te “demat” dhe papërgjeshmëria e dy rumunëve ka bërë që të zgjerohet vatra e infeksionit. Pas përgjigjes së tamponëve njëri nga të infektuarit është irrituar jashtë mase dhe fillimisht ka pasur një debat përmes telefonit me mbrojtësin rumun.

Më pas, beteja ka vazhduar poshtë pallatit ku banon. Mësohet se Boldor ka dalë nga karantina dhe ka shkuar të sqarohet me shokun e skuadrës, i cili ka qenë në gjendje të acaruar pasi ka mësuar se ka dalë pozitiv dhe fajësonte rumunin për atë gjë. Nga dëshmitarët pranë ngjarjes mësohet se ka pasur debat me tone të larta dhe në fund Boldor është goditur me një send të fortë ku ka pasur edhe dëmtime. Burimet pranë vendngjarjes bënë me dije për gazetën se lojtari që ka goditur Boldor, çuditërisht ka qenë i shoqëruar edhe me shokë të tjerë të ekipit, të cilët kanë dalë të pastër nga tamponët e kryer. Motra e mbrojtësit rumun, e cila gjithashtu është pozitive me “COVID-19” dhe që kishte dalë nga banesa, ka bërtitur me të madhe.

Kanë qenë banorët e pallatit ku ata banonin që kanë njoftuar policinë, ku më pas ka mbërritur edhe një ambulancë. Boldor mësohet se ka pasur kontakt telefonik më pas edhe nga zyrtarë të klubit, që i kanë rekomanduar të ruaj qetësinë duke mos bërë veprime të mëtejshme. Por motra e Boldorit është dëgjuar duke bërtitur që të bëhet denoncim. Deian Boldor, që është i prekur me Koronavirus, është marrë nga ambulanca, e cila është shoqëruar nga pas nga një mjet i policisë. Por sikur të mos mjaftonte kaq, motra e lojtarit që gjithashtu e ka të ndaluar të dalë jashtë, i është vënë nga pas makinës së policisë dhe ambulancës ku ndodhej mbrojtësi rumun, së bashku me një person tjetër që jeton në të njëjtin pallat me ata dhe që dyshohet të jetë një tjetër i prekur me virus. /Gazeta Sinjali