Çka na pret më tej? Ky është preokupimi i gjithsecilit në këtë betejë me virusin korona. Epidemiologu Isuf Dedushaj thotë se ende nuk mund të thuhet se virusi është në eliminim e sipër. Sipas tij, koronavirusi mund të thuhet se është eliminuar nëse për 14 ditë rresht nuk shfaqen raste të reja.
“Shpresoj që pas datës 18 rastet kanë me qenë të rralla por ne nuk mund të flasim se sëmundja është mënjanu sepse është në luftë e sipër të eliminohet derisa nuk është në inkubacion së paku prej 14 ditëve që nuk paraqitet rasti te ne por edhe në botë”, shpjegoi ai.
“Kjo është pandemia më e fuqishme që ka godit botën prej vitit 1957 kur u shpall gripi kinez që është shpërndarë në gjithë botën dhe ka mbyt deri në 4 milionë njerëz. Ne si Kosovë fatbardhësisht kemi marrë masat shumë herët dhe fati më i mirë ka qenë se para shfaqjes së rastit të parë të sëmundjes janë mbyllur institucionet arsimore dhe fetare”, tha ai për RTV21.
Dedushaj thotë se nëse virusi korona do të rishfaqet në vjeshtë nuk do të ketë agresivitetin e tanishëm.
“Vera ka me qenë e mirë. Vjeshta se di askush, ato janë parashikime që japin ekspertë që edhe unë mendoj se a do të zhduket virusi. Nëse në vjeshtë paraqiten raste të reja dhe në qoftë se virusi ka pësuar mutacione do të paraqiten raste të reja por në forma shumë më të buta, jo kaq agresive siç është tash”, shtoi ai.
Epidemiologu kosovar pret që në të ardhmen virusi të zhduket.
“Unë pres që covid-19 të eliminohet në të ardhmen. Nëse ka me u paraqit kohë pas kohe atëherë ka me e marrë formën e gripit sezonal”, tha ai./GazetaSinjali/