Edhe një ditë pas vrasjes së ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, ende nuk është arrestuar asnjë person dhe nuk dihet nëse ka ndonjë të dyshuar lidhur me këtë vrasje të mistershme.
I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Shkodran Nikçi, i cili është zëdhënës në Prokurorinë Themelore në Pejë, ka thënë se prokuroria është duke vazhduar intensivisht hetimet rreth këtij rasti.
“Janë duke u zhvilluar hetime intensive rreth kësaj çështje penale dhe njëkohësisht janë duke u marrë veprime hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit, kaq mund të them për momentin”, tha Nikçi.
Kelmendi u gjetë i vrarë dhe i djegur mëngjesin e ditës së djeshme, rreth orës 01:00, pak metra larg shtëpisë së tij në fshatin Zahaq të Pejës. Ai fillimisht u vra me breshëri automatiku dhe më pas u dogj në makinën e tij.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër me fillim nga ora 15:00 në kompleksin memorial në Gllogjan./Gazeta Sinjali/