image Emmerson: Prokuroria e Speciales po akuzon e po shpif ndaj Policisë së Kosovës

Drejtësi

Emmerson: Prokuroria e Speciales po akuzon e po shpif ndaj Policisë së Kosovës

news image

Pretendimet e Prokurorisë së Speciales se Policia e Kosovës nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të garantuar lirimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, avokati i tij, Ben Emmerson i ka quajtur “shpifje”.

Emmerson me anë të disa parashtresave të dërguara në gjykatë i ka reaguar pretendimeve të prokurorit të specializuar, se kinse Policia e Kosovës nuk ka kapacitete për të mbikëqyrur lirimin me kusht të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, shkruan Gazeta Sinjali.

Avokati hedh akuza të ashpra ndaj Prokurorisë duke thënë se kjo e fundit përveç që po shpif ndaj Policisë së Kosovës, ajo po e akuzon atë për bashkëpunim me mbrojtjen, gjë që sipas tij përbën një sulm të jashtëzakonshëm ndaj Policisë.

Së fundi, mbrojtja vë në dukje shpifjet e përgjithshme të ZPS-së kundër forcës së saj policore. Ai pretendon se “Kosova ende nuk ka ofruar garanci të mjaftueshme” dhe se “dështimet e vazhdueshme të Kosovës tregojnë një paaftësi të thjeshtë për të zbatuar masa të mjaftueshme”. SPO vë në pikëpyetje sinqeritetin e PK-së në përgjigjet e saj dhe “vetëkuptimin e PK-së për rreziqet dhe masat e nevojshme, e lëre më aftësinë e saj për të ekzekutuar masa të tilla.” Ajo(ZPS) akuzon në mënyrë të nënkuptuar policinë për bashkëpunim me mbrojtjen dhe ky është një sulm i jashtëzakonshëm i  ZPS-së ndaj forcave të saj policore”, ka thënë avokati Emmerson.

Sipas avokatit të Veselit, Policia e Kosovës është një forcë profesionale dhe në asnjë formë nuk justifikohen ato që ai i quan “përbuzje” ndaj këtij institucioni.

Në rishiqimet e kaluara të paraburgimit për Veselin, Prokuroria e kishte përdorur si argument të kaluarën e ish-kryetarit të Kuvendit kur ai kishte shërbyer si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK).

Sipas Prokurorisë kjo përbënte rrezik që nëse Veseli lirohej në arrest shtëpiak, ai mund t’u përçonte në formë të koduar mesazhe vizituesve të tij.

Mirëpo, edhe këto dyshime të Prokurorisë sipas avokatit Emmerson, hidhen poshtë nga garancia e Policisë së Kosovës.

E rëndësishmja, përgjigja e PK-së tani adreson në mënyrë specifike rrezikun që z. Veseli mund t’i transmetojë një mesazh dikujt personalisht ose të përdorë gjuhë të koduar për të bërë të njëjtën gjë. PK-ja ka një protokoll gjithëpërfshirës për ta adresuar këtë: Ngjashëm me protokollin e Hagës, kjo do të bëhet duke lejuar PK-në të vlerësojë në kohë reale çdo zbulim të papërshtatshëm të informacionit konfidencial ose përdorimin e gjuhës së koduar. Më tej, PK-ja ka konfirmuar se i ka burimet e nevojshme për të zbatuar me sukses çdo urdhër të Gjykatës për këtë çështje”, thuhet në parashtresën e Emmersonit, drejtuar Prokurorisë së Specializuar.

Këto dhe argumente tjera të Emmerson janë përmbledhur në një parashtresë prej 13 faqesh, e aty kërkon që Veseli të lirohet nga paraburgimi në Hagë dhe deri në nisjen e gjykimit atij t’i vendoset masa e arrestit shtëpiak./GazetaSinjali/