image “Eksperimentuesi i Prishtinës”, çka punoi e çka jo Rama brenda 1 viti

Sociale

“Eksperimentuesi i Prishtinës”, çka punoi e çka jo Rama brenda 1 viti

news image

Shtatë nëntori shënon ditën kur Përparim Rama mori zyrtarisht detyrën si kryetar i komunës më të madhe në Kosovë, Prishtinës. Arkitekti i cili erdhi nga Londra një vit më parë, ishte betuar se do ta kryente me përgjegjësi dhe në përputhje me kompetencat detyrën e tij si kryetar i Prishtinës, shkruan Gazeta Sinjali.

I pari i kryeqytetit teksa ka kujtuar këtë moment ka thënë se projektet për transformimin e Prishtinës dhe transformimin e jetës së qytetarëve do të vazhdojnë.

“Fillimet janë plot sfida, të cilat vetëm nëpërmjet dedikimit, energjisë dhe punës së pandalshme të krejt ekipit, do t’i kapërcejmë, e të vëmë në rrugën e duhur projektet dhe planet për transformimin e Kryeqytetit dhe përmirësimin e jetës së gjithsecilit’’, ka shkruar ai sot në Facebook.

206 premtimet e Ramës

Rama i cili vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kur i kishte hyrë garës për të parin e kryeqytetit, kishte dhënë goxha premtime.

Madje ai është i pari për nga numri i premtimeve të dhëna. Më saktësisht gjatë fushatës së muajit tetor, të vitit të kaluar, ai ka dhënë 206 premtime.

Por, nga gjithsej këto premtime nga muaji janar e deri në qershor të këtij viti, Rama ka përfunduar vetëm 7 nga premtimet e dhëna.

12 nga premtimet i ka gjysmë të përmbushura, 38 të filluara. Ndërsa 149 nuk i ka filluar ende, sipas raportit nga Instituti GAP.

Eksperimentet e Ramës që frustruan qytetarët

Infrastruktura rrugore në Prishtinë vazhdon të jetë një ndër problemet më të theksuara me të cilën përballen banorët e kësaj komune.

Gjatë gjithë vitit, qytetarët përballen me trafik të dendur ku pritjet në kolona zgjasin për orë të tëra.

Sipas vlerësimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) del se në Prishtinë në vitin 2020 kishte 216,870 banorë. Ani pse ka numër të lartë të banorëve, Komuna nuk ka zgjeruar rrugët për të përballur numrin e lartë të veturave.

Megjithatë, Rama bëri përpjekje për të gjetur zgjidhje.

Ai nisi testimet në trafik për shndërrimin e unazës qendrore në qarkore njëkahëshe, testim ky që u pasua me tollovi në trafik.

“Për këtë testim ju kemi informuar publikisht, qysh nga data 26.10.2022. E kuptoj  plotësisht frustrimin e shumë qytetarëve rreth këtij testimi. Unë dhe stafi përgjegjës i Komunës së Prishtinës bashkëndjejmë me ju. Pavarësisht këtij frustrimi të shprehur, ju falënderoj përzemërsisht për durimin që treguat sot”, kishte thënë Rama pas testimit të rrugës.

Eksperimentin e vazhdoi sërish në rrugët “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunës; Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia; Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE; Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore;Rruga “Ukshin Hoti” dhe Rruga “Robert Dolli”.

Për këto testime, pati reagime të ashpra nga qytetarët të cilët u shprehën të frustruar për kaosin e shkaktuar.

Një problem tjetër me të cilin ballafaqohen qytetarët e Prishtinës është ai i qenve endacakë. Janë të shpeshta rastet kur raportohet se qentë endacakë sulmojnë qytetarët duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Për të zgjidhur këtë problem, Komuna e Prishtinës kishte ndarë 753 mijë euro.

Anipse këto mjete janë ndarë, komuna nuk posedon shifra se sa qenë endacakë i enden në territor.

Sipas planit të komunës, 249 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e Qendrës për Trajnimin e Qenve Endacakë ndërsa 34 mijë euro për vendosjen e mikroçipave.

/GazetaSinjali/