I dyshuari për sulmin ndaj ish të dashurës së tij (emra të njohur për redaksinë), është arrestuar në Gjakovë gjatë ditës së djeshme, pas një takimi të “rastësishëm” me ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Uka, përderisa ky i fundit ishte në një lokal në Gjakovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Vendimin për ndalimin e të dyshuarit prej 48 orësh, U.D i kryeprokurorit, e mori gjatë kohës sa ishte në një lokal në Gjakovë, ku e vërejti A.U., punëtor i KRU “Gjakova”, siç thotë ai rastësisht dhe pastaj e mori vendimin, njoftojnë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali.
Por, në kohën kur u lëshua ky vendim, prokurore kujdestare ishte Mane Syla, e cila merret me rastet e dhunës në familje. Megjithatë, ajo nuk u mor me këtë rast, për shkak se Uka e përjashtoi, me arsyen se ka konflikt interesi. E gjithë kjo, pasi që i dyshuari A.U. është djali i dajës së ish-gruas së djalit të prokurores Syla.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, Ali Uka.
“Dje kam qenë një lokal hotelier kur e kam parë A.U., të dyshuarin për sulm ndaj ish të dashurës dhe kam lëshuar urdhëresë për ndalim 48 orësh për të. Por, janë disa rrethana paksa të komplikuara, për shkak se prokurorja Mane Syla, që ishte kujdestare në kohën kur i dyshuari është ndaluar, në të kaluarën kishte një lidhje të afërt miqësie me të dyshuarin. Djali i saj, ka qenë i martuar me vajzën e hallës së të dyshuarit. Tash e një kohë, djali i Manes është ndarë me ish gruan, me të cilën kishin probleme. Andaj edhe e kam lajmëruar Manen dhe e kam liruar nga ky rast për arsye të konfliktit të interesit”, ka thënë Uka për Gazetën Sinjali.
Si rrjedhojë, Uka e ka caktuar Dëshirë Jusajn, si prokurore që duhet të merret me këtë rast.
“E kam përcaktuar një prokuror tjetër për këtë rast. Tani i kam lëshuar vendimin për ndalim për veprën “lëndim i lehtë trupor”. Viktima e ka një mavijosje. Sot e kemi bërë kërkesën në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe besoj që seanca mbahet nesër”, ka thënë Uka.
Por, sipas sinjalizuesve të Gazetës Sinjali, nuk është hera e parë që A.U është ndaluar për 48 orë, pasi që para rreth 10 ditëve, i njëjti kishte kanosur me mesazhe viktimën, për çka ishte arrestuar dhe ndaluar nga policia.
Sipas Ukës, i dyshuari bashkë më viktimën dyshohet se kanë qenë në lidhje dashurie për një kohë të gjatë dhe kanë pasur probleme edhe me një person tjetër, me të cilin viktima ka pasur lidhje.
Pas publikimit të lajmit se i dyshuari për sulm ndaj ish të dashurës është prangosur nga Policia, Gazeta Sinjali ka pranuar një mesazh nga një person, i cili paraqitej si i dashuri i viktimës, duke pretenduar se viktima edhe më parë është sulmuar nga ish i dashuri i saj dhe se lidhja e tyre është shkaku i kërcënimeve dhe sulmeve të vazhdueshme.
Gazeta Sinjali është në pritje për të kontaktuar me viktimën për të marrë versionin e saj lidhur me pretendimet e personit që ka dërguar mesazh në adresë të Gazetës Sinjali, dhe përjetimet e saja gjatë tentimit për t’u ndarë nga ish i dashuri.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.