Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, i cili mbahet mend për refuzimin e dekretit të presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e tij, duket se ka sërish problem me punëdhënësen e tij, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali në MPJD kanë bërë të ditur se kjo ministri ka lëshuar urdhër për konfiskimin e tabelave të veturave zyrtare dhe të ID-ve diplomatike që po vazhdojnë të mbahen pa autorizim nga ish-ambasadori Dedaj dhe ish-konsulli, Lindon Kqira, i cili po ashtu e pati vlerësuar si jokushtetues vendimin e Osmanit.
Këto burime konfirmojnë se tani Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tyre, për t’ua konfiskuar targat dhe ID-të diplomatike të ish-diplomatëve dhe familjarëve të tyre, të cilët vazhdojnë t’i shfrytëzojnë pa autorizim, përkundër përfundimit të mandatit.
Siç mëson Sinjali, Dedaj dhe Kqira mbajnë pa autorizim targat diplomatike të lëshuara nga Republika e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht, Dedaj ende nuk i ka kthyer targat diplomatike NMK 50-CD-001, të cilat janë të vendosura në veturën e tij të tipit Mercedes Benz E.
Ndërkaq, targat diplomatike NMK 50 -CD – 005, po vazhdojnë të shfrytëzohen pa autorizim nga Kqira në veturën e tij, të tipit VW Passat, carvan.
Policia e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut tashmë kanë shpërndarë urdhrin për konfiskimin e ID-ve diplomatike që nuk janë dorëzuar ende nga ata dhe familjarët e tyre.
Sinjali mëson se urdhri për konfiskimin e targave dhe ID-ve diplomatike tashmë është vënë edhe në pikat kufitare dhe sapo të realizohet, këto dokumente nga kjo ministri do t’u kthehen autoriteteve maqedonase./GazetaSinjali/