Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Runik të Skenderajt, ku një 36-vjeçar dyshohet se ka plagosur aksidentalisht babanë e tij me armë zjarri, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është P. P. rreth 36-vjeç, ndërsa i plagosur ka mbetur babai i tij, M. P. rreth 61-vjeç.
Sipas burimeve të Sinjalit, Policia është njoftuar rreth orës 19:50 për një plagosje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes, familjarët kanë deklaruar se plagosja kishte ndodhur në mënyrë aksidentale.
Viktima është dërguar fillimisht në QKMF-në e Skenderajt, më pas në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimit është transferuar edhe në QKUK në Prishtinë. Mjekët kanë bërë të ditur se ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit në këmbën e majtë, mbi gju, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, Policia ka sekuestruar një pistoletë të prodhimit turk, e cila dyshohet se është përdorur në incident, si dhe lejen e armës, e cila rezultonte me afat të skaduar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Pas intervistimit, P. P. është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!