Një 27-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim pas një aksioni antidrogë në Kaçanik, është paraqitur në Polici dhe ka përfunduar në ndalim, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Fitim Imishtin rreth 27 vjeç, ndërsa në të njëjtin rast është intervistuar edhe Valentin Berisha rreth 49-vjeç.
Sipas burimeve të Sinjalit, më 6 korrik 2026, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, e asistuar nga Njësia Rajonale për Reagim të Shpejtë dhe hetuesit e Stacionit Policor në Kaçanik, kishte realizuar një bastisje në një shtëpi në rrugën “Skënderbeu” në Kaçanik, me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjatë kontrollit, i dyshuari nuk ishte gjetur në shtëpi, por Policia kishte sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash materiale, përfshirë:
- 401.9 gram marihuanë të ndarë në katër qese;
- dy peshore;
- një kallashnikov (AK-47) me 5 karikatorë dhe 109 fishekë;
- një pistoletë me 2 karikatorë dhe 29 fishekë;
- si dhe 9.050 euro para të gatshme.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se më 21 korrik, Fitim Imishti, i cili deri atëherë kishte qenë në arrati, është paraqitur në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, së bashku me Valentin Berishën, ku të dy janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Me autorizim të Prokurorit të rastit, Fitim Imishti është dërguar në ndalim për 48 orë, nën dyshimet për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkaq, Valentin Berisha është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!