image Ekskluzive| Krisma në dasmë në “Kështjella Pandora”, Policia gjen mbi 140 gëzhoja – një i arrestuar, dyshohet se u përdorën dy armë

Ekskluzive

Ekskluzive| Krisma në dasmë në “Kështjella Pandora”, Policia gjen mbi 140 gëzhoja – një i arrestuar, dyshohet se u përdorën dy armë

news image

Një aheng dasme në fshatin Kukaj të Prishtinës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi u raportuan të shtëna me armë në lokalin “Kështjella Pandora”, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas mesnate, rreth orës 00:20, kur njësitë policore kanë reaguar pas raportimeve për të shtëna gjatë ceremonisë së dasmës.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policët kanë gjetur gëzhoja të shumta brenda lokalit, ndërsa hetuesit dhe krim-teknikët kanë zhvilluar ekzaminimet e nevojshme.

Gjatë kontrollit është sekuestruar një pistoletë me gaz, e cila dyshohet se ishte përdorur gjatë ahengut. Si i dyshuar është identifikuar Enis Thaqi, 24 vjeçar, i cili gjatë intervistimit ka pranuar se kishte shtënë me armë “në shenjë gëzimi”, për martesën e shokut të tij.

Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe përgjegjësi i ahengut, A. Bytyqi, 49 vjeçar, i cili ka deklaruar se nuk kishte arritur ta shihte personin që kishte shtënë, për shkak të numrit të madh të mysafirëve dhe angazhimit me organizimin e dasmës. Sipas burimeve, në lokacion nuk kishte kamera sigurie.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 90 fishekë me gaz, 92 gëzhoja të armës me gaz, si dhe 54 gëzhoja të tjera, për të cilat dyshohet se janë shkrepur nga një armë tjetër, e cila nuk është gjetur pavarësisht kontrollit të personave dhe hapësirës ku u zhvillua ahengu.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Përdorim i armës”, ndërsa Enis Thaqi është ndaluar për 48 orë.

Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse gjatë dasmës janë përdorur edhe armë të tjera dhe për identifikimin e personave të përfshirë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/