Një incident i pazakontë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ku një 20-vjeçar dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri, ndërsa kontrolli policor në banesën e tij zbuloi armë dhe substanca të dyshuara narkotike, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur me 11 korrik rreth orës 01:00, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, ku Policia u njoftua për një rast vetëplagosjeje.
Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë hasur Fatjon Bajramin, 20 vjeçar, i cili dyshohet se kishte plagosur veten në këmbën e majtë me armë zjarri. Ai është dërguar menjëherë në QKUK, ku ka marrë trajtim mjekësor. Sipas burimeve, gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Gjatë bastisjes së banesës së të riut, Policia ka sekuestruar: një pistoletë me një karikator dhe gjashtë fishekë; 17 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë; një gëzhojë brenda banesës; si dhe predhën e shkrepur, e cila u gjet pranë derës së banesës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, në koordinim me hetuesit dhe Prokurorin kujdestar, ndaj 20-vjeçarit janë iniciuar procedura për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rrethanat e vetëplagosjes dhe origjinën e armës e të narkotikëve janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!