Policia e Kosovës ka arrestuar 10 persona të dyshuar për veprat penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, raporton Gazeta Sinjali.
Arrestimi i tyre u bë gjatë fundjavës në tri lokacione të ndryshme: në Prishtinë, Ferizaj dhe në Mitrovicë.
Gjatë arrestimit të gjashtë prej tyre, policia ka gjetur dhe ka konfiskuar rreth 83 kilogramë substanca narkotike të llojit marihuanë, afër 16 mijë euro para të gatshme, armë, automjete dhe gjësende të tjera.
Gazeta Sinjali ka arritur që të sigurojë listën me emrat e personave të arrestuar gjatë të shtunës dhe të dielës, të dyshuar për kryerjen e dy veprave të lartcekura.
Albin Shaqiri, 24-vjeçar, është arrestuar të shtunën, në Mitrovicë, i dyshuar për “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Albion Karafeta, 22 vjeçar, u arrestua më 19 qershor në Prishtinë. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Si i dyshuar për këtë vepër, po të shtunën në kryeqytet, në prangat e policisë përfundoi edhe Islam Rekalia, 21 vjeçar.
Ndërkaq, të dielën, më 20 qershor, policia prangosi në Ferizaj, Elvis Gabrricën, 23 vjeçar, i dyshuar për “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Nën dyshimin se kanë kryer veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, të dielën, policia prangosi edhe gjashtë persona të tjerë në Prishtinë.
Sinjali mëson që në prangat e policisë më 20 qershor përfunduan:
Haki Maliqi, 33 vjeçar.
Fatos Kastrati, 28 vjeçar.
Erodit Bajrami, 24 vjeçar.
Benjamin Bajrami, 47-vjeçar.
Astrit Goçi, 47-vjeçar.
Fatlum Musliji, 47-vjeçar.
Gazeta Sinjali sot raportoi sot se me urdhër të prokurorit, është bërë edhe kontrollim i katër lokacioneve, prej tyre dy banesa të banimit, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Fushë-Kosovë, si dhe dy shtëpi në Gjilan së bashku me një objekt përcjellës, të cilat dyshohet se grupi në fjalë i kanë përdorur për fshehje, shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për kontrabandë të barnave me origjinë të dyshimtë.
Gjatë realizimit të kontrollit në cilësi të provave materiale në lokacione të ndryshme, janë gjetur të fshehura në vende dhe mjete të ndryshme, provat e sekuestruara:
- 82 kilogramë e 914 gramë (tetëdhjetë e dy kilogramë e nëntëqind e katërmbëdhjetë gramë marihuanë).
- 100 paketime të barnave të kontrabanduara, me peshë prej 100 kilogramëve e 180 gramëve.
- 1 pushkë gjuetie me 35 predha (fishekë) si dhe dy qese najloni të mbushura me barot dhe sfera për municion të armës së gjuetisë.
- 1 armë e gjatë ‘AK- 47’ me një karikator.
- 1 revole ‘TT’ me një karikator dhe 6 predha (fishekë).
- 1 dylbi e armës së gjatë, 174 predha (fishekë).
- 5 vetura të ndryshme.
- 15.774,50 € (Pesëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër euro e pesëdhjetë cent), si dhe 20 (njëzet) franga zvicerane.
- Barna të llojeve të ndryshme.
Të arrestuar me vendim të prokurorit kompetent, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/