Një aksion i hetuesve antidrogë në Viti ka çuar në kapjen e një të riu që dyshohet se posedonte marihuanë të ndarë në disa qese, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 8 majit rreth orës 20:00 në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Viti.
Sipas informatave, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Gjilan kishin pranuar informata operative se Hetem Gashi, rreth 24-vjeçar posedonte substanca narkotike.
Burimet bëjnë të ditur se pas lokalizimit të tij, hetuesit e kanë mbajtur nën vëzhgim dhe e kanë përcjellë deri në një lokal, ku më pas kanë ndërhyrë për kontroll.
Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar: 10 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe një cigare me marihuanë.
Substanca i është nënshtruar testit fushor, ku ka rezultuar pozitiv në marihuanë, me peshë totale prej 5.92 gramësh.
Pas intervistimit, me rekomandim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!