Manchester United nuk po ndalet së kërkuari përforcime në mesfushë. Pas afrimit të brazilianit Andrey Santos, “Djajtë e Kuq” kanë vendosur në objektiv një tjetër emër të njohur të Premier League.
Bëhet fjalë për Youri Tielemans, me klubin nga “Old Trafford” që raportohet se ka avancuar bisedimet me Aston Villën për transferimin e mesfushorit belg.
United ka hequr dorë nga tentativa për Edersonin e Atalantës dhe tashmë fokusin e ka te Tielemans. Sipas mediave angleze, klubi është i gatshëm të paguajë klauzolën e lirimit prej 40 milionë eurosh, ndërsa lojtari shihet si i hapur për një kalim te gjiganti anglez.
Tielemans, 29-vjeçar, ka qenë një nga mesfushorët më konstantë në Premier League vitet e fundit, duke u dalluar për kontrollin e topit, pasimet dhe aftësinë për të diktuar ritmin e lojës.
Reprezentuesi belg, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit të Belgjikës në Kupën e Botës 2026, mund të bëhet një nga afrimet e rëndësishme të United në merkaton e verës, teksa skuadra po punon për të rindërtuar repartin e mesfushës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!