Mbi 10 mijë persona kanë humbur jetën në Evropë si pasojë e valëve ekstreme të të nxehtit që goditën pjesën perëndimore të kontinentit në fund të muajit qershor, sipas të dhënave të reja.
Shumica dërrmuese e viktimave, më shumë se 9 mijë persona, ishin të moshës mbi 65-vjeçare, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, monitoruesi evropian i vdekshmërisë i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Valët e nxehtësisë thyen rekorde të temperaturave në disa vende evropiane, përfshirë Belgjikën, Britaninë e Madhe, Francën dhe Spanjën, duke shkaktuar mijëra vdekje shtesë, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Grupi i shkencëtarëve “World Weather Attribution” ka deklaruar se valët e të nxehtit në qershor do të kishin qenë “pothuajse të pamundura” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Ndërkohë, një studim në Britani ka vlerësuar se të paktën 2 mijë e 700 persona kanë vdekur në Angli dhe Uells si pasojë e temperaturave ekstreme gjatë muajve maj dhe qershor.
Ekspertët nga Imperial College London, Zyra Meteorologjike britanike dhe Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër përdorën të dhëna meteorologjike, modele klimatike dhe analiza të vdekshmërisë për të bërë këtë vlerësim.
Sipas studimit, rreth 550 persona humbën jetën nga nxehtësia gjatë periudhës 21-29 maj, ndërsa afro 2 mijë e 200 të tjerë gjatë periudhës 18-28 qershor në Angli dhe Uells.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive. Temperaturat maksimale gjatë këtyre periudhave ishin rreth 3 deri në 4 gradë Celsius më të larta sesa do të ishin pa ngrohjen globale.
Britania e Madhe dhe pjesa më e madhe e Evropës përjetuan dy valë të pazakonta të nxehtit gjatë majit dhe qershorit, me temperatura rekord prej 35.1 dhe 37.7 gradë Celsius të regjistruara në Angli.
Komiteti britanik për Ndryshimet Klimatike ka paralajmëruar se vendi nuk është ende i përgatitur për pasojat e ndryshimeve klimatike, duke kërkuar masa më të mëdha për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat ekstreme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!