image Zjarr masiv pranë Parisit: Flakët përfshijnë qindra hektarë pyll, evakuohen banorët

Evropë

Zjarr masiv pranë Parisit: Flakët përfshijnë qindra hektarë pyll, evakuohen banorët

news image

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë të dielën pasdite pyllin e gjerë të Fontainebleau, rreth 60 kilometra në juglindje të Parisit, ndërsa autoritetet franceze e kanë cilësuar si një zjarr me “përmasa të jashtëzakonshme”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur solidaritet me banorët e zonës Seine-et-Marne dhe ka falënderuar zjarrfikësit e ekipet e shpëtimit që po luftojnë pa pushim me flakët.

“Dërgoj solidaritetin tim për banorët e Seine-et-Marne. Për zjarrfikësit dhe forcat e shpëtimit të angazhuara pa ndërprerje, mirënjohjen time të thellë. Të gjitha burimet në dispozicion janë mobilizuar”, shkroi Macron në platformën X.

Zjarri, i përshkruar nga zyrtarët si “shumë i rrezikshëm”, ka përfshirë rreth 800 hektarë pyll dhe vazhdonte të përhapej, ndërsa qindra zjarrfikës po përpiqeshin ta vinin nën kontroll.

Për shkak të përhapjes së flakëve, një pjesë e autostradës A6, një nga akset kryesore veri-jug të Francës, u mbyll pjesërisht.

Rreth 15 shtëpi janë evakuuar në fshatin Vaudoué, ndërsa ekipet e zjarrfikësve po mbronin edhe disa zona të tjera të banuara përreth.

Në operacion janë angazhuar rreth 400 zjarrfikës, dy avionë kundër zjarrit, dy helikopterë dhe një avion vëzhgimi. Sipas federatës kombëtare të zjarrfikësve, kjo është hera e parë që avionë të tillë janë dërguar nga jugu i Francës, një zonë zakonisht më e prekur nga zjarret, për të ndihmuar në rajonin e Parisit.

“Qëllimi është të shpëtojmë jetë dhe të mbrojmë pronën”, tha Eric Brocardi nga Federata Kombëtare e Zjarrfikësve.

Franca aktualisht po përballet me valën e tretë të të nxehtit që nga muaji maj, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre pyjore. Temperaturat rekord në disa vende evropiane kanë shkaktuar mijëra viktima shtesë, sipas vlerësimeve në Francë, Britani, Belgjikë dhe Spanjë.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, bëri të ditur se zjarret pyjore këtë vit kanë djegur tashmë 17 mijë hektarë, ndërsa shifra pritet të arrijë rreth 25 mijë hektarë, afërsisht dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/