Katër kolonë izraelitë janë arrestuar pas një sulmi ndaj ekipit të CNN-it dhe disa gazetarëve të tjerë në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi Policia izraelite.
Gazetarët ndodheshin pranë fshatit Sinjil, në veri të Ramallahut, për të raportuar në përvjetorin e parë të vrasjes së Saif Musallet, një palestinezo-amerikan që u rrah për vdekje nga kolonë hebrenj në korrik të vitit të kaluar.
Sipas raportimeve, vetëm pak minuta pasi ekipi i CNN-it mbërriti në vendin ku u vra Musallet, një grup kolonësh iu afrua zonës. Teksa gazetarët tentuan të largoheshin, katër persona u bllokuan rrugën me një automjet dhe u përpoqën t’i pengonin të largoheshin.
Kolonët dyshohet se ishin të armatosur me shufra druri e metali dhe gurë. Njëri prej tyre mbante një thikë dhe tentoi të shponte gomat e automjetit të CNN-it.
Më pas, ata sulmuan edhe një automjet tjetër me gazetarë, duke u ngjitur mbi të dhe duke thyer xhamin e përparmë. Një grup tjetër tentoi të bllokonte një rrugë alternative, ndërsa gazetarët u ndoqën deri në drejtim të qytetit Sinjil.
Kur në vendngjarje arritën policia dhe ushtria izraelite, autoritetet arrestuan katër të dyshuar dhe më pas gjetën automjetin e tyre. Brenda tij u sekuestruan shkopinj dhe një thikë.
“Policia izraelite dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit e marrin shumë seriozisht çdo akt dhune apo dëmtim prone, veçanërisht kur bëhet fjalë për personel të medias që kryen punën e tij”, thuhej në deklaratën e policisë.
Pas vrasjes së Saif Musallet në korrik 2025, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, e kishte cilësuar rastin si “akt kriminal dhe terrorist” dhe kishte kërkuar hetim. Megjithatë, babai i viktimës ka deklaruar për CNN se askush nuk është arrestuar për vrasjen e djalit të tij.
Sulmi ndaj gazetarëve vjen vetëm disa ditë pasi kongresisti amerikan Ro Khanna u ndalua nga kolonët në jug të Hebronit, gjatë një vizite në Bregun Perëndimor.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar së fundmi se dhuna e kolonëve është kthyer në një problem “përtej çdo imagjinate”, duke i përshkruar autorët si një grup prej rreth 150 “delinkuentësh të rinj”. Ai tha se policia dhe ushtria ndërmarrin veprime, por gjykatat izraelite janë “shumë tolerante” ndaj të dënuarve për dhunë nga kolonët.
Megjithatë, në Bregun Perëndimor është raportuar një rritje e sulmeve nga kolonët, në një kohë kur qeveria izraelite po zgjeron me shpejtësi vendbanimet në këtë territor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!