Policia e Kosovës ka arrestuar dy të rinj në rrugën “Gasper Karaqi”, në Gjakovë, pasi të njëjtit dyshohen për shitje apo shpërndarje të paautorizuar të drogës, raporton Gazeta Sinjali.
Dy të dyshuarit janë ndaluar derisa po lëviznin me një veturë të tipit “Range Rover”, pasi policia mori informacionin se të njëjtit posedojnë substanca narkotike me qëllim për shitjen në treg të brendshëm.
Gjatë kontrollimit të të dyshuarve dhe veturës, Sinjali mëson se Policia ka gjetur substancë të dyshuar kokainë, si dhe një sasi të marihuanës.
Droga e gjetur është konfiskuar, ndërkohë që në cilësinë e provave, është konfiskuar edhe vetura, me të cilën po lëviznin të dyshuarit.
Lidhur me këtë rast, burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.