Dy persona janë arrestuar mbrëmë nga Drejtoria Rajonale e Ferizajt, pas një operacioni të zhvilluar në lidhje me grabitjen e disa pompave të derivateve.
Gazeta Sinjali mëson nga burime të sigurta, se të arrestuarit janë personat me inicialet: B. G., 25-vjeçar dhe V.S., 26-vjeçar (emra të njohur për redaksinë).
Operacioni i Policisë së Kosovës filloi mbrëmë rreth orës 20:00, kur u dëgjuan disa të shtëna armësh në fshatin Mirash. Me të dalë në vendin e ngjarjes Policia, të dyshuarit i kishin gjetur dhe më pas konfiskuar disa lloje të fishekëve, përfshirë dhe kalibrin 7.62 të armës AK-47, tri gëzhoja dhe një pistoletë të kalibrit 6mmm.
Burimet më tej i kanë treguar gazetës, se pas intervistimit të të dyshuarit, Policia ka shkuar sërish në shtëpinë e tij, ku ka gjetur fillimisht rrobat e fshehura me të cilat ishin kryer grabitjet si dhe arma e tipit AK47 me 26 copë fishekë të kalibrit 7.62 si dhe disa thasë me të cilat dyshohet se i ka bartur gjësendet e grabitura.
Më tej, burimet bëjnë të ditur se pas gjetjes dhe konfiskimit të këtyre provave, të dy të dyshuarit kanë pranuar se i kanë kryer këto grabitje.
Të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë.
Të arrestuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në së paku 11 grabitje, 9 në regjionin e Ferizajt, dy në regjionin e Prishtinës./Gazeta Sinjali/