Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti i Trafikut përgjegjës për autostradë, rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, gjatë kontrollit rutinor ka ndaluar një veturë me targa të Shqipërisë, e cila drejtohej nga një shtetas shqiptar, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson nga burimet e saj se gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe bagazhit të automjetit, policia ka gjetur një shumë të konsiderueshme parash në vlerë prej 160 mijë funta angleze dhe 15 mijë euro, për të cilat, drejtuesi i automjetit pranoi që i takonin atij, por nuk arriti të ofrojë informacion të besueshëm për prejardhjen e tyre.
Përderisa Njësiti i Trafikut ishte duke kryer procedurat e verifikimit, drejtuesi i automjetit me 160 mijë funta angleze dhe 15 mijë euro, kërkoi ndihmë nga një shtetas i Kosovës, i cili erdhi me një automjet tjetër në vendin e ngjarjes, ku po mbahej shtetasi i Shqipërisë.
Pas arritjes të automjetit tjetër në vendin e ngjarjes, këto burime kanë bërë të ditur se Njësiti i Trafikut për të verifikuar dhe trajtuar më tutje rastin, ka ftuar në asistencë edhe një patrullë nga stacioni policor në Malishevë.
Gazeta Sinjali mëson se patrulla e stacionit policor të Malishevës ka sekuestruar automjetet dhe i ka shoqëruar në polici drejtuesit e tyre.
Rasti menjëherë i është përcjellë për hetim Njësitit të Krimeve Ekonomike, të cilët pas konsultimit me prokurorin kujdestar, kanë sekuestruar shumën prej 160 mijë funtave angleze dhe 15 mijë eurove.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, mësohet se rasti është duke u hetuar si “pastrim parash”, ndërkaq të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe prokurori përgjegjës.
Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për detaje të reja lidhur me këtë rast./Gazeta Sinjali/