Edhe sot Komuna e Malishevës kaloi një ditë të qetë sa i përket situatës me koronavirus, pasi asnjë qytetar nuk ka dalë i prekur nga ky virus, ndërsa nga nesër priten të ritestohen personat që llogariten aktiv me Covid-19.
Kështu kanë njoftuar nga komuna përmes një njoftimi për media, duke lutur qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e IKSHP-së, shkruan Gazeta Sinjali.
“Por pavarësisht kësaj situate të qetë dhe që duket se situata po shkon drejt përmirësimit, luten qytetarët, që të zbatojnë udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për mbajtje të distancës fizike, për mos dalje pa nevojë, edhe kur të dilni të mbani maska e dorëza, si dhe të pastroni duart sa më shpesh që mundeni dhe sa herë të prekni gjëra me dorë. Heqja e karantinës, nuk do të thotë se nuk mund të përhapet virusi. Ashtu siç kemi treguar kujdes gjatë kësaj periudhe gati dy mujore, ashtu duhet të vazhdojmë të tregojmë kujdes të shtuar në raport me këtë virus, prandaj zbatoni të gjitha udhëzimet, në mënyrë që sa më shpejt të dalim nga kjo situatë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Malisheva është komuna e tretë më e prekur nga Covid-19 në Kosovë me gjithsej 76 raste pozitive./GazetaSinjali/