image Edhe një zyrtar i Këshillit Evropian infektohet nga koronavirusi

Botë/ Edhe një zyrtar i Këshillit Evropian infektohet nga koronavirusi

news image

Në Këshillin Evropian në Bruksel, është regjistruar rasti i dytë me koronavirus. 46 anëtarë të stafit u këshilluan që të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat e tyre dhe ta përcjellin gjendjen e vet shëndetësore.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Këshillit për zhvillim dhe shërbime organizative, William Shapcott, personi i infektuar me këtë virus ka marrë pjesë në një takim të ambasadorëve të 27 vendeve anëtare më 2 mars. Të gjitha zonat ku ka qenë ky person janë mbyllur dhe janë pastruar.

Këshilli Evropian, ku mbahen takimet e ministrave gjatë samiteve të Bashkimit Evropian, ka një staf prej rreth tre mijë punëtorëve, shkruan “Reuters”.

Pavarësisht konfirmimit të dy rasteve, në njoftim thuhet se të gjitha takimet e ministrave të tregtisë, të planifikuara për 12 mars, do të mbahen dhe se nuk ka ndonjë vendim për program të negociatave të pakësuara.

Rasti i parë me koronavirus në Këshillin Evropian u shënua javën e kaluar. I inektuari është një zyrtar i Agjencisë Evropiane, i cili e kishte vizituar së voni Italinë, e cila është shteti më i prekur nga virusi i ri.

Numri i viktimave në Itali ka shkuar në mbi 230. Vetëm në 24 orët e kaluara, autoritetet raportuan për 50 persona të vdekur. Ndërkohë numri i të infektuarve u rrit për më shumë se 1200, duke shkuar në 5883.

Askush nuk do të ketë të drejtë të hyjë apo të dalë nga rajoni i Lombardisë, dhe në 11 provinca të tjera,ku banojnë 10 milionë njerëz, përpos rasteve emergjente. Milano është qyteti më i madh në këtë pjesë. Kjo u vendos përmes një dekreti të qeverisë italiane, i cili parasheh pezullimin e të gjitha organizimeve, duke përfshirë edhe dasmat dhe ceremonitë mortore./Gazeta Sinjali/