14-vjeçarja nga Gjilani dyshohet se është keqpërdorur seksualisht dhe më pas është detyruar që të abortojë në javën e tretë të shtatzënisë, nga 21-vjeçari me iniciale Sh.J (emër i njohur për redaksinë), me të cilën dyshohet se e mitura ka qenë në lidhje dashurie.
Një sinjalizues i afërt me familjen e viktimës, në kushte anonimiteti e ka rrëfyer ngjarjen për Gazetën Sinjali.
Sipas tij, e gjithë ngjarja filloi në një ditë dimri mes muajit janar dhe shkurt të këtij viti, në motelin “Casablanka”, që ndodhet në fshatin Livoq i poshtëm në Gjilan, ku e mitura dyshohet se u keqpërdor seksualisht nga 21-vjeçari, i cili dyshohet se e detyroi të kryejë marrëdhënie seksuale me të.
Si pasojë e këtij akti, e mitura, e cila në atë kohë ishte vetëm 13-vjeç, kishte ngelur shtatzënë, për çka në muajin mars, rreth tri javë e disa ditë shtatzëni, sinjalizuesi rrëfen se Sh.J., e kishte detyruar që të abortonte.
Mësohet se ndërprerja e kundërligjshme e shtatzënisë është kryer në një klinikë private në Prishtinë, mjekët e të cilës kishin refuzuar që t’i jepnin të miturës fletëlëshimin për kryerjen e abortin.
Familjari i viktimës bëri të ditur se e mitura e ka raportuar sot rastin në polici.
Lidhur me këto dyshime, ai tha se në prangat e Policisë së Kosovës ka rënë 21-vjeçari, i cili mësohet se është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Gazeta Sinjali merr vesh po ashtu se Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet ndaj mjekëve të klinikës private në kryeqytet, të cilët dyshohet se në muajin mars kanë mundësuar abortin.
Gazeta Sinjali ka provuar sot disa herë gjatë ditës që ta konfirmojë rastin nga Policia e Kosovës, për një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Pas shumë përpjekjeve, rastin e ka konfirmuar shkurt kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku.
“Unë vetëm mund të konfirmoj se një person i dyshuar është ndaluar për këtë rast dhe se kemi bërë kërkesë që këto dy, tre ditë të kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore”, tha ai.
Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar lidhur me detaje të reja të ngjarjes.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/